Kthehu lart

Arnita i do meshkujt e fuqishëm mendërisht

Arnita i do meshkujt e fuqishëm mendërisht
GazetaExpress E diel, 18 Gusht 2013 10:18

Ka kaluar të 20-at, e tashmë që janë bërë tri vite nga shpallja e saj “Miss Albania”, ajo vjen me një set fotografish, ku reklamon të njëjtat linja prej miss-i, por një pjekuri tjetër. Ajo thotë tashmë se kurora ishte pikënisja e saj për shumë destinacione, secili prej tyre me një mësim të vetin në fund. Arnita Beqiraj, moderatore prej dy vitesh e “Xtra Factor” në TV Klan, tregon për jetën e saj si vajzë ekrani, tentativat e para për t’i hyrë politikës dhe ambiciet e mëtejshme në televizion. Me këndvështrimin e një psikologeje të ardhshme, ajo flet për hierarkinë e gjërave më të rëndësishme në jetë: bukurinë, dashurinë, lumturinë, paratë, meshkujt dhe martesën.

Për dy edicione të kemi ndjekur në TV Klan si moderatore të “Xtra Factor”. Është ekrani vendi i duhur për ty, dhe cilat janë ambiciet e mëtejshme në televizion?

Televizioni është sigurisht një dashuri e imja, një botë që ti vazhdon ta zbulosh ditë pas dite, një realitet paralel me atë që jeton, por, me një ndryshim, te ky gjërat shkojnë gjithmonë mirë falë punës së profesionistëve. Ndihem mirë aty, është një punë që e bëj me shumë dashuri, shpresoj të qëndroj për një kohë të gjatë në televizion, edhe pse jo detyrimisht përpara kamerave.

Cilat janë modelet që do do të dëshiroje të ndiqje në karrierën tënde në ekran, politikë, drejtësi dhe psikologji?

Nuk kam emra konkretë, asnjëherë nuk kam pasur idhuj. E vetmja gjë që mund të them, është se unë do jap më të mirën time në zgjedhjen që do bëj.

Flasim pak për jetën jashtë ekranit. Është e vërtetë që je në një lidhje me Ardit Roshin, moderatorin e “Pop Channel” e “Summer Fest”? Nëse po, ç’mund të tregosh më shumë për këtë histori?

(qesh) Më falni, por nuk mundem të mos qesh, sepse të gjitha aludimet që bëhen për mua në këtë pikë, rezultojnë të pavërteta. Arditi dhe unë jemi miq shumë të mirë. Arditi është një njeri që e vlerësoj shumë në të gjitha aspektet, si një profesionist të talentuar, si njeri që çdo ditë e plotëson figurën e tij. Është një mik shumë i mirë, të cilin e kam shumë xhan dhe kaq, nuk ka skenarë telenovelash përtej kësaj.

Atëherë, ku dhe me kë po i kalon pushimet këtë verë, dhe si i ruan linjat e tua prej miss-i, që në plazh është rasti për t’i ekspozuar?

Jemi në kulmin e verës dhe unë me keqardhje po ju rrëfej se pushimet e mia këtë vit kufizohen me ndonjë arratisje të vogël fundjaveve në Vlorë, ku përfitoj të takoj edhe familjarët e mi atje. Për sa u përket linjave, vazhdoj të kem një trup të rregullt. Për të qenë e sinqertë, më ndodh që herë pas here t’i tejkaloj limitet, kjo për shkak të dashurisë dhe pasionit tim për çokollatat, por kur rimarr situatën në dorë, nuk toleroj.

Për të ruajtur peshën ideale, preferon dietat apo sportet?

Unë jam një njeri praktikisht i paaftë për të mbajtur dieta, e në gjithë jetën time vetëm një herë e kam bërë dhe nuk e di a do mund ta bëja sërish. Preferoj sportin, noti është një nga hobet e mia dhe sporti perfekt për ta sjellë trupin në formë.

Në “Miss Albania” ti u shpalle dhe “Miss Inteligjenca”. Kur bën bilancin e jetës sate, deri tani çfarë mendon se ke bërë me zgjuarsi?

Çdo njeri bën bilancin e tij, dhe unë uroj që i imi të jetë pozitiv dhe të vazhdoj të jem “UNË” deri në fund. Ndodh shpesh të humbasësh veten rrugës dhe pak rëndësi ka se sa e madhe është shuma në llogarinë tënde bankare, pasi në këto kushte ke dështuar. “Lumturia është dashuri, asgjë tjetër”

Të ndodh që ta gdhish natën dhe në ç’rast?

Më ndodh dhe alternativat janë dy: ose në punë, ose me shoqërinë, duke biseduar gjatë dhe në moment të fundit na shkrep ndonjë ide për t’u nisur diku.

Cilat janë ritet e tua, me të cilat ke gjetur lumturinë?

Më kujtohet tani një shprehje e Hermann Hesse, i cili thoshte “Lumturia është dashuri, asgjë tjetër”. Kështu që edhe unë aty e gjej lumturinë time, te dashuria që familja, shoqëria, puna më falin dhe unë përpiqem ta reflektoj.

Inteligjencë është të fitosh para, apo si t’i shpenzosh ato, pra të dish apo të kesh?

Inteligjencë është të fitosh para dhe t’i shohësh ato si të tilla gjithë jetën, pra një mjet që shërben për të përfituar një produkt apo shërbim, por të mos kthehen në të vetmin qëllim për të cilin justifikohet mjeti.

Meshkujt preferojnë për partnere femra të zgjuara apo të zakonshme?

Nuk do të doja të bëja përgjithësime se çfarë pëlqejnë meshkujt apo femrat, kur vjen puna te dashuria, jemi të gjithë njësoj. Mund të bëjmë një listë të gjatë teorike me gjërat që duam dhe vlerësojmë te dikush e në fund vjen praktika, që na i hedh të gjitha poshtë (qesh).

Femrat e bukura preferojnë meshkuj të fuqishëm apo të butë. Po ti?

Preferoj meshkuj të fuqishëm mendërisht.

Është e vërtetë që vajzat sharmante i trembin meshkujt?

Historia thotë të kundërtën.

Martesa për ty është destinacion apo një provë jete?

Për mua, destinacioni është një i vetëm për të gjithë, rrugëtimi është ai që ka rëndësi. Martesa është pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi.

Jeta për ty është e gjatë apo e shkurtër?

E shkurtër, ka pak kohë për të lënë gjurmët e tua. (Panorama)

Data: 18 Gusht 2013 10:18
Autori: GazetaExpress

Të tjera