Kthehu lart

Aman, mos vallëzoni në autostradë

Aman, mos vallëzoni në autostradë
GazetaExpress E premte, 16 Gusht 2013 16:49

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që mos të ndalojnë në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, për të festuar apo për të shëtitur në këmbë, pasi që sipas Policisë kjo është e kundërligjshme.

Njësitet e trafikut policor kohëve të fundit kanë vërejtur disa fenomene jo të zakonshme, në këtë autostradë, ku falë reagimit të shpejtë të policisë janë parandaluar gjëra që do të mund të kishin edhe pasoja fatale.

Njësit e trafikut policor kanë vërejtur si më poshtë: ndalje, vallëzim i dasmorëve, shëtitje e qytetareve këmbë nëpër autostradë, shëtitja me biçikleta, ndalje autostop, futja e kafshëve për kullos në zonën e rrethuar, kositja e barit në zonën e rrethuar dhe qarkullimi me mjete bujqësore (traktor, kombajna etj).

Gjithashtu janë vërejtur edhe dukuri të tjera, si piknik në autostradë; zhvillim i veprimtarive fitim-prurëse (pjekja e misrit për shitje në Autostradë); zbritja e udhëtarëve me familje dhe valixhe nga autobusët në shiritin emergjent, veçanërisht nga autobusët që vijnë nga bregdeti;zhvillimi i garave me vetura me pjesëmarrje të shikuesve

“Edhe përkundër reagimeve të vazhdueshme policore ndaj këtyre dukurive, patrullat policore gjatë vikendit kanë vërejtur edhe një dukuri tjetër mjaft të rrezikshme për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor në autostradë, ndalja e kolonës së dasmorëve në shiritin emergjent për të pushuar,për tu mbledhur dhe për të bërë aheng duke shfrytëzuar këtë aks rrugor për vallëzim e argëtim”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Në të gjitha këto raste, patrullat e NjKA-së kanë reaguar menjëherë duke i larguar dhe duke shmangur rrezikun dhe pasojat që mund të sjellin veprimet e tilla të cilat paraqesin rrezik për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion në Autostradë sepse shpejtësia e lejuar është 130 km/h .

Edhe përkundër këtyre dukurive jo të zakonshme dhe të kundërligjshme gjithmonë duke ju falënderuar angazhimit dhe përkushtimit të njësiteve policore nuk janë shënuar shumë raste,dhe me qëllim të evitimit të rrezikut, parandalimit të aksidenteve dhe pasojave të mundshme fatale.

Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor që ti respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor dhe të ju përshtaten kushteve te rrugës.

Data: 16 Gusht 2013 16:49
Autori: GazetaExpress

Të tjera