Kthehu lart

Aktori që vdes në çdo film

Aktori që vdes në çdo film
GazetaExpress E martë, 14 Maj 2013 11:29

Leonardo DiKaprio ka ditur të rrëmbejë zemrat dhe simpatinë e publikut, që prej debutimit të parë në vitin 1993 te filmi “This boy’s life”. Me karizmin, bukurinë, mjeshtërinë e aktrimit dhe një rrogë 20 milionë dollarëshe në vit, ai i ka dhuruar kinemasë botërore skenat më prekëse dhe ato më të fuqishmet.

Fakti, që ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe që disa e quajnë me të qeshur “mallkimi i Leos”, është ai se në shumicën e roleve të luajtura prej DiKaprios, ky vdes ose vritet, duke marrë përmasa heroike.

Ja disa prej filmave ku aktori i famshëm, është dergjur i vdekur, i vrarë apo i mbytur tragjikisht.

1. “The Quick and the Dead”(1995), një film tipik Western, ku DiKaprio luan rolin e një djaloshi të quajtur Kid, që hyn shumë shpejt në konflikt të hapur me kampionin e dueleve të armëve, Herodin. Kid pretendon se ky është i ati dhe pasi ka dështuar në fitimin e dashurisë, vëmendjes dhe respektit të tij, e sfidon atë në një duel të hapur në qendër të qytetit. Energjik, por edhe naiv, i riu DiKaprio mbetet i vrarë nga plaku i pamposhtur, njëkohësisht i ati, Herod. Në momentet e fundit, i shtrirë në tokë, Kid qan duke i zgjatur dorën për një mundësi të fundit njohjeje të atit, ndërsa ky i plagosur lehtë e lë të riun të vdesë pa asnjë shenjë dashurie. Skena mbyllet me një lot që rrëshqet në faqet e DiKaprios, kjo përbën vdekjen e parë kinematografike të aktorit të njohur.

2. “Total Eclipse”(1995), një romancë sa e ndaluar, aq edhe e shfrenuar midis dy poetëve francezë të shekullit të 19, Artur Rembos dhe Pol Verleinit. Artur Rembo, i prezantuar aq mjeshtërisht nga bukuroshi DiKaprio, është një nga poetët më të përfolur të surealizmit francez. I prekur prej kancerit në këmbë, Rembo detyrohet ta presë këmbën dhe të kthehet përkohësisht të jetojë në familjen e tij. Me dëshirën për t’u kthyer në Afrikë, ai largohet nga shtëpia, por nuk arrin të shkojë më larg se në Marsejë, ku vdes në datëlindjen e tij të 37-të në një spital. Jashtë dritares jeta duket e bukur dhe e gjallëruar, teksa vegimi i fundit i DiKaprios në rolin e Rembosë, është ëndrra për t’u plakur me mentorin e tij, Pol Verlein, të cilin ai aq shumë e deshi.

3. “Romeo and Juliet”(1996), kryevepra e Shekspirit e ardhur në një tjetër format të vitit 1996, ku dy të rinj përjetojnë dashurinë e ndaluar dhe të keqkuptuar në kohërat moderne. Me një vdekje që u shkon kaq shumë përshtat të gjithë atyre që kanë luajtur Romeon, DiKaprio pi helmin pranë të dashurës së tij, e cila nuk ka vdekur në të vërtetë. Kjo dramë dashurie luhet me shumë pasion dhe me skena tepër prekëse, nga i riu dhe i pandalshmi DiKaprio, aktori ideal për vdekjen e bukur.

4. “The Departed”(2006), ‘Dua të më kthehet jeta që kisha’, citon oficeri i policisë së Bostonit, DiKaprio, të cilit i plotësohet dëshira e tij, por jo në mënyrën që e priste. Teksa ka vënë nën arrest një polic të korruptuar, ai qëllohet fare papritur sapo dera e ashensorit hapet, prej një polici tjetër të korruptuar. Ndoshta kjo është një nga vdekjet më të papritura, e cila ka shokuar adhuruesit e DiKaprios. I larë në gjak dhe me një plumb në kokë, polici i departamentit të Bostonit shtrihet mjerisht i vdekur në derën e ashensorit, që kërkon vazhdimisht të mbyllet.

5. “Blood Diamond”(2006), i plagosur rëndë dhe i pashpresë për t’i shpëtuar vdekjes, Deni (DiKaprio), qëndron ulur duke soditur peizazhin e një lugine plot diell. Ai gjendet në Afrikën Perëndimore me dëshirën për të shpëtuar minierën e diamanteve në atë vend. Telefonata e tij e fundit shkon për Mendin, gazetaren amerikane, për t’i thënë asaj vendin se ku ndodhet miniera e Solomonit. Me gjakun që i rrjedh pambarim, DiKaprio shprehet në momentet e fundit se ai ishte pikërisht atje ku duhej.

6. “J. Edgar”(2011), një film biografik i realizuar prej të madhit Klint Istvud, ka në qendër drejtorin që i dha FBI-së emrin e sotëm të mirë. Teksa aktron sfidat e policisë së kohës dhe ashpërsinë e Huverit, me shumë zotësi, Leonardo nuk harron edhe të fusë në skena sharmin e tij. Personazhi kryesor, i fiksuar pas punës së tij, i plakur dhe i mbetur vetëm, shkon në zyrat e FBI-së për të dhënë lamtumirën e fundit me karrierën e tij, të cilën ai aq shumë e deshi. Më pas Huver gjendet i vdekur në dhomën e tij, me shumë sekrete, të cilat sipas porosisë ia mbron sekretarja dhe gruaja e vetme që ai deshi.

7. “Django Unchained”(2012), filmi më i mirë për vitin 2012, i Quentin Tarantinos, një dramë hakmarrëse që i jep DiKaprios një rol negativ. Një skllavopronar tepër i kënaqur me jetën që bën dhe shumë karizmatik, Kalvin Kandie, zbulon planet e fshehta të një skllavi të liruar dhe mikut të tij, duke prishur kështu mënyrën sesi ata synonin të lironin gruan e skllavit, Brumhildën. Në këtë film, Leonardo vdes në një mënyrë sa tragjike, aq edhe romantike, i qëlluar mbi zemër, ku mbante një lule të bardhë. Ky është fundi i fermës së tij dhe i personave që ai kishte mbi zotërim, pasi prej këtij veprimi fillon një masakër e vërtetë.

8. “Titanic” (1997) është kryevepra kinematografike e shekullit të shkuar, e udhëhequr prej regjisorit të njohur, Xhejms Kamerun. DiKaprio luan rolin e një djaloshi të ri, Xhek, i cili niset drejt Amerikës, në kërkim të fatit dhe pasurisë. Njohur dhe dashuruar me aristokraten Rozë, ata përjetojnë një dashuri tepër prekëse. Fundi i përbashkët i pasagjerëve të transoqeanikut më të madh, sjell edhe vdekjen e djaloshit Xhek, në skenën e famshme që ka përlotur të gjithë botën. Kjo është ndoshta vdekja më e njohur e Leonardo DiKaprios, aktorit që për hir të karrierës, e ka pranuar vdekjen shumë herë dhe që është përpjekur ta presë atë sa më bukur. /shqip/

Data: 14 Maj 2013 11:29
Autori: GazetaExpress

Të tjera