Kthehu lart

Ajo që prishi ëndrrat

Ajo që prishi ëndrrat
GazetaExpress E martë, 12 Prill 2011 10:02

Zgjedhja e Presidentes Jahjaga shoi shpresat e shumë burrave të politikës kosovare që me mendjen e tyre qëmoti janë këmbëkryq në Presidencë. Për planet dhe ëndrrat e tyre, ajo ishte një fatkeqësi. Jo edhe për vendin.

Atifete Jahjaga e zgjedhur për Presidente të Kosovës, ani pse për një periudhë transitore, është lajmi më i mirë që ka prodhuar Kosova pas disa muajve të rëndë për imazhin e artileruar të vendit.

Kushdo që ta ketë propozuar emrin e saj, ka bërë një përzgjedhje tejet të mençur. Përpos që vendi u nxor nga një krizë e tmerrshme politike buzë së cilës ndodhej, përmes emërimit të saj u goditën dhe u neutralizuan disa caqe.

Së pari, duhet llogaritur se është hedhur një hap i madh emancipues në një shoqëri të portretizuar me të drejtë si thellësisht patriarkale. Nuk mundet askush ta mohojë anën pozitive të këtij lajmi, kur një shoqëri patriarkale si ne, zgjedh një femër në postin më reprezentativ të vendit. Kontestuesit e mënyrës se si është zgjedhur ajo, duhet ta kenë parasysh se pavarësisht kësaj, tash e tutje do të adaptohemi që Presidenca e drejtuar nga një femër të pranohet si diçka e natyrshme. Prej kësaj, edhe CV’ja e Jahjagës duhet të jetë motivim për të gjitha ato femra, duke përfshirë edhe feministet përtace të Kosovës, se pa pasur nevojë të bësh shumë zhurmë, puna dhe përkushtimi ia vlejnë edhe këtu, siç kishte bërë Jahjaga për 11 vjet rresht në Policinë e Kosovës.

Së dyti, zgjedhja e Atifete Jahjagës për Presidente të Kosovës, komentatorët zemërplasur të Kohës Ditore dhe Infopressit, ish-politikanët e konvertuar në aktivistë të shoqërisë civile dhe Vetëvendosjen, si gjithmonë kundër ligjeve të fizikës – i gjeti si kaproj të shtangur përballë dritave të veturës. Me karrierën e filluar në vitin 1999, biografia e Jahjagës nuk kishte përkatësi politike, e që përkthehet se deri në gradën më të lartë të policisë kosovare ia kishte dalë vetë. Mosha e re e bënte të pamundur të gjendej ndonjë formë e kolaborimit të saj me regjimin e dikurshëm serb! Njolla në biografinë profesionale të suksesshme po ashtu mungonin, e aq më pak në jetën private tejet modeste të saj.

Siç i kishte ndodhur presidentit 35-ditor, Pacollit, për të nisur gërryerjen e personalitetit të Jahjagës skuadra ekzekutuese e komentatorëve të Kohës Ditore nuk gjeti asgjë në materialet arkivore në Google. Pa materialin e gatshëm për atakimet fillestare, siç ia kishin nxirë ditët presidenciale Behgjet Pacollit, krejt çka u ngeli zjarrëvënësve të tillë, ishte një përpjekje e varfër dhe pa shije për të karikuar rreth emrit të saj. Si të ishin vetë pasardhës të Tudorëve, përmes një humori bajat të kohës së Cimes e Lecit, nga emri Atifete krijoheshin rima të shthurura linguistike. Opozitarët mediatikë disi i nxori nga lloçi rrëfimi i thënë me sinqeritet naiv nga Behgjet Pacolli. Sinqeriteti nuk është gjithmonë sinonim i së vërtetës, sidoqoftë tregimi për zarfin nga Behgjet Pacolli ua hapi një kanal frymëmarrjeje për të sforcuar sulmet e tyre. Ishte Ambasadori Dell, ndaj të cilit u kthyen shigjetat. Zarfi, ashtu si më parë sms’të, ishin fija e kashtës ku ata u kapën për të nxjerrë në breg skizofreninë e tyre politike. Edhe pse dëshira ime kurrë nuk do të plotësohet, më intereson të dijë se cili do të ishte reagimi p.sh. i Kohës Ditore po qe se nga zarfi i supozuar të ishte shfaqur emri i Veton Surroit!? Ose, për Vetëvendosjen, emri i Adem Demaçit! E, për InfoPressin, po ia lë imagjinatës suaj t’ia qëlloni... Sa keq, kurrë s’do ta mësojmë atë reagim!

Së treti, zgjedhja e Presidentes femër, shoi shpresat e shumë burrave të politikës kosovare, që të përfshirë nga deliri i madhështisë, me mendjen e tyre qëmoti janë këmbëkryq në Presidencë. Nuk ma merr mendja që të tillët ndonjëherë para pasqyrës të kenë pyetur vetveten se a ka ky vend më të mirë se ata.

Për planet dhe ëndrrat e tyre, Jahjaga ishte një fatkeqësi. Jo edhe për vendin. Jahjaga ishte gjetja ideale mes përplasjeve të atyre burrave të cilët përfaqësojnë apetite që mbështeten qoftë në të kaluarën e lëvizjeve të dikurshme ilegale, luftës së UÇK’së, lëvizjes paqësore të ’90’tës, botës së dikurshme akademike, shoqërisë së sotme civile, apo në të tillë që pikë për së kthjellëti thjesht mendojnë se e meritojnë të jenë President të Kosovës.

Është viti 2011.

Koha në të cilin ndodhemi është tregues se pse nuk mund të jetë posti i Presidentit të vendit shpërblim i aktiviteteve politike të para disa dekadave. Sot, përvuajtja nuk duhet të jetë kriter që përkthehet domosdoshmërisht në postet më të larta të vendit. Prandaj, ndjej keqardhje kur shoh se si ish-veprimtarë të shquar si Adem Demaçi lejojnë të manipulohen nga individë dhe parti politike duke u joshur me postin e Presidentit. Nëse kriter për postin e Presidencës është njëlloj viktimometri, atëherë i bie që Presidenti i vendit do të duhej të ishte dikush nga Reqaku, Prekazi a Krusha.

Por, Adem Demaçit dhe të tjerëve të cilët janë të shumtë në secilën parti politike, duke përfshirë edhe partinë së cilës i përkas, duhet filluar t’u pëshpëritet afër veshit: “Është viti 2011. Respekt të skajshëm, por Ju tashmë jeni histori!”.

Sa për Presidenten, në ato pak paraqitje të saj ajo ka shfaqur seriozitet, pedantëri, dhe nuk ofron pamjen e atyre aktivisteve hermafroditë që na pështillen nëpër jetën tonë publike. Prandaj, të nisim e të mësohemi me të.

(Autori është anëtar i PDK’së)

Data: 12 Prill 2011 10:02
Autori: GazetaExpress

Të tjera