Kthehu lart

Abuzimi me të drejtat e fëmijëve

Abuzimi me të drejtat e fëmijëve
GazetaExpress E shtune, 04 Qershor 2011 14:00

Se e kemi një gjendje tepër të keqe në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kjo është e qartë nga të gjithë, por çështja është si ta ndalim këtë trend abuzimi me fëmijët dhe ekspozimin e tyre ndaj dhunës.

Sall një reklamë filmi ishte shkas që të trazohen britanikët dhe të kërkonin ndalimin e emetimit të saj në televizion, në mënyrë që t’i ruanin fëmijët e tyre nga ekspozimi i dhunës. Tek ne e gjithë Kosova është çuar peshë që t’i ekspozohet dhunës së filmit të Halil Budakovës.

Sigurisht që këta qytetarë aktivë të ish presidentit Churchill, i cili i kishte fituar zgjedhjet duke u premtuar britanikëve qumësht për fëmijët e tyre, kanë një traditë të gjatë me vlera të stabilizuara në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe, si të tillë, nuk kanë mundur të mos reagojnë menjëherë në pamjet e dhunshme që janë shfaqur nëpërmjet reklamës së filmit “The Mechanic”.

Nuk është se ne duhet të bëhemi anglezë, por ama nuk është e thënë të sillemi sipas maksimës së njohur se vetëm i marri mëson nga gabimet e veta. Ndoshta nuk është e thënë që të bëhemi varrë nga gabimet tona!?

Tek ne reagimet kundër filmit të Budakovës, kushtuar heroit tonë kombëtar, Azem Bejta, ishin tepër spontane, mbase simbolike. Institucionet tona le që heshtën për këtë, por mbase edhe vetë u vunë në shërbim të konsumimit sa më të madh të këtij filmi nga fëmijët. Shkollat, anekënd Kosovës, u shndërruan në tezga ku shiteshin biletat për këtë film. Në mënyrë të organizuar filloristët kosovarë përcollën këtë film, madje duke filluar nga klasat e gjashta. Dhe për ironi, po t’i pyesësh fëmijët, ata janë ndarë të kënaqur me filmin, sepse janë mësuar me dhunën, e cila është bërë ushqimi i tyre i përhershëm!

Po i referohem rastit të filmit të Budakovës, meqë në një mënyrë u bë temë debati, ndërsa deputeti i LDK-së Imri Ahmeti, këtë çështje e nxori edhe në Parlamentin e Kosovës. Shqetësimi i deputetit Ahmeti ishte shumë domethënës dhe, si i tillë, meritonte një vazhdim debati edhe përtej këtij institucioni më të lartë të vendit.

Po për fat të keq, kjo nuk ndodhi. Madje nuk u mor as si shkas për ta bërë më të kuptimshme Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve. Heshtën edhe ato organizata joqeveritare, të cilat kanë shfrytëzuar donacione në miliona euro pikërisht në emër të këtyre të drejtave.

Se e kemi një gjendje tepër të keqe në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kjo është e qartë nga të gjithë, por çështja është si ta ndalim këtë trend abuzimi me fëmijët dhe ekspozimin e tyre ndaj dhunës, duke mos llogaritur këtu eksploatimin e tyre që bën një fenomen shumë kompleks për rrethanat tona. Shikoni serialet tona televizive pa motiv dhe pa përmbajtje, të cilat njësoj si poezitë e dobëta të autorëve që shkruajnë për të rritur, kanë mbetur malli më i konsumuar nga fëmijët. Në këto seriale përdorimi i gjuhës jo vetëm që është larg standardeve, por nuk plotëson as kriterin elementar për një vepër arti, ndërsa ajo (gjuha) shfaqet vetëm në nivel komunikimi banal, por jo në nivel shprehës, përkatësisht estetik. E fëmijët si konsumuesit më të mëdhenj të tyre, emitojnë heronjtë e këtyre serialeve, duke ndotur edhe më ambientin tonë edhe ashtu të kontaminuar kulturalisht.

Për programe dhe emisione televizive për fëmijë të mos flasim, sepse nuk janë më shumë se reminishenca nga një e kaluar, e vlerësuar si model i keq dhe, si të tilla, fyejnë inteligjencën e fëmijës, i cili tashmë jeton i zhytur thellë në botën e kibernetikës.

Në një ambient ku dominon ndotja mentale, nuk mund të shohësh perspektivë për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë.

Një gjendje të tillë lehtësisht mund ta identifikosh edhe po të shfletosh gazetat dhe revistat për fëmijë. Nga tregimet dhe poezitë e botuara aty do të shihni se gjaku rrjedh nëpër çdo faqe. Madje këto gazeta dhe revista nëpërmjet institucioneve shkollore u imponohen nxënësve, duke e kthyer kështu shkollën në një tezgë të zakonshme, ku matrapazët shesin mallin e tyre me kriter estetik të skaduar.

Ekspozimi ndaj dhunës dhe kultivimi i urrejtjes shfaqet edhe nëpër tekstet shkollore. E në një vend ku kultivohet urrejtja, ndërtimi i paqes dhe i mirëqenies është krejt i pamundur. Kjo për faktin shumë të thjeshtë se urrejtja është një fenomen që nuk mund të shfaqet si i mbyllur brenda individit, sepse ka prirjen e vet të natyrshme të gjeneralizimit.

Nëse ne nuk jemi në gjendje që të respektojmë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila nëpërmjet Nenit 50 garanton mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi, është krejt e palejueshme që të abuzojmë me fëmijët nëpërmjet institucioneve tona. Dhe për sa kohë partitë politike, të identifikuar si shkelëset më të mëdha të ligjit, fushatat e tyre me karakter festivali i mbështesin në angazhimin e fëmijëve dhe në anën tjetër shoqëria civile, përkatësisht OJQ-të, përdorin fëmijët sall për donacione, gjasat që të kemi një ndryshim shpresëdhënës janë më shumë se minimale.

Duket ashiqare se shumë donatorë sikur bëjnë shpëlarjen e parave nëpërmjet organizatave të shoqërisë civile, të cilat në vend se të ndikojnë në përmirësimin e të drejtave të fëmijëve, kanë bërë të kundërtën. Miliona janë derdhur nëpër fushata agresive kundër dhunës, konsumimit të narkotikëve dhe trafikimit me qenie njerëzore, ndërsa në fakt të gjitha këto dukuri negative kanë shënuar një trend të madh ngritjeje. Është krejt e palejueshme që miliona të derdhen nëpër tekste dhe broshura të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e fëmijëve, e që nuk dihen autorët e tyre, madje as institucioni i cili i ka përgatitur dhe as organizata e cila i ka shpërndarë falas nëpër shkolla, duke ndërtuar stoqe nga to.

Epo nëse fëmijët rriten me kultivimin e urrejtjes dhe me ekspozimin ndaj dhunës në format nga më të ndryshmet, do të përballen me një gjendje siç do të konstatonte Bonnie Miller: “Nëse fëmija jeton në armiqësi, ai mëson të luftojë”. Dhe kush mund të thotë se fëmijët tanë nuk po luftojnë, ndërsa rastet e therjes me thika, por edhe të vrasjeve dhe plagosjeve me armë zjarri janë kaq të pranishme.

Jo rastësisht presidenti amerikan Clinton erdhi menjëherë pas lufte në Kosovë dhe mesazhin e tij për paqen e dha në takim me fëmijët e komunës së Ferizajt, duke anashkaluar plotësisht liderët politikë. Sigurisht që presidenti Clinton nuk e kishte besuar faktin se institucionet e Kosovës nuk do të bënin asnjë hap pozitiv që fëmijët këtu të kultivonin paqen brenda vetes, pastaj atë ta zhvillonin edhe në raport me të tjerët. Ndoshta me këtë rast është mirë ta kujtojmë presidenten tonë, që si mbrojtëse e ligjshmërisë të angazhohet më shumë dhe së paku të na bëjë të kuptojmë se ardhmëria jonë dhe e vendit tonë nuk mund të shihet askund më mirë se në sytë e fëmijëve.

Data: 04 Qershor 2011 14:00
Autori: GazetaExpress

Të tjera