| MediaWorks është kompani e re mediale, e themeluar në vitin 2004, nga një grup redaktorësh dhe gazetarësh më në zë të Kosovës, me ndihmën e kompanisë IPKO.
Gazeta e përditshme Express, produkt kryesor i kompanisë MediaWorks, ka hyrë vrullshëm në diskursin publik në Kosovë, duke botuar artikuj relevantë, të hulumtuar mirë, dhe opinione autoritative.
Profesionalizmi i gazetës Express është vërejtur edhe jashtë Kosovës. Express është përmendur si burim kredibël i informatave gjatë raportimit të mediave botërore nga Kosova. New York Times, Time, The Economist, Associated Press, Reuters, etj, u janë referuar - dhe vazhdojnë t'ju referohen - artikujve dhe fotografive të botuara në këtë gazetë.
Stafi editorial i Express është i dedikuar të prodhojë një gazetë të përditshme me shtojca speciale, ashtu që lexuesve t'u sjellë përmbajtje relevante e cilësore, duke promovuar njëkohësisht një frymë të re profesionale në gazetari.
Ndryshe, ekipi redaktorial i Express përbëhet nga një grup profesionistësh me eksperiencë.
Drejtori Ekzekutiv, z. Baton Haxhiu, konsiderohet një ndër redaktorët më të shquar të gjeneratës së re të gazetarëve kosovarë, duke qenë njëkohësisht edhe njëri prej themeluesve të mediave kosovare, si Koha, apo KTV. Kryeredaktori, z. Berat Buzhala, është një ndër gazetarët më të njohur të ekonomisë dhe të gazetarisë hulumtuese në Kosovën e pasluftës. Kolumnet dhe editorialet redaktohen nga Shkelzen Maliqi, njëri ndër publicistët më të mirë të rajonit. Ndërkohë që foto-desku përbëhet nga fotoreporterë me përvojë, puna e të cilëve madje është shpërblyer edhe me çmime ndërkombëtare të fotografisë mediale. Dizajnerët tanë shquhen me përkushtim dhe kreativitet, gjë që edhe e bën dizajnin e gazetës Express të jetë lehtë i dallueshëm nga ditoret tjera që janë prezente në tregun kosovar.
|